Përgatiti: Nora Luta
Procesi i rigjykimit për vrasjen e policit Triumf Riza është pothuajse në përfundim.
Por para se të dëgjohet fjala përfundimtare, në rastin në të cilin për nxitje të vrasjes së Rizës akuzohet Enver Sekiraqa, Prokuroria Speciale ka propozuar që të dëgjohet ish-shoku dhe kolegu i tij, Arben Selmanaj.
Ndonëse, kishte kundërshtime nga mbrojtja me arsyetimin se dëshmia e tij nuk është relevante, gjykata në seancën e së hënës e aprovoi kërkesën e PSRK-së.
Babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, në seancën paraprake kishte thënë se Arbeni nuk ka dëshmuar më herët, për shkak të frikës.
Vendimi i gjykatës që Selmanaj të dëgjohet, nxiti mbrojtjen të propozojë dëshmitar të ri, që u kundërshtua nga Prokuroria.
Megjithatë, trupi gjykues ka vendosur që të dëgjohet edhe dëshmitari i mbrojtjes.
Ndërkohë, ish-polici Arben Selmanaj pritet të dëgjohet për herë të parë për këtë rast përmes video-linkut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe jeton që nga koha kur kishte mbetur i plagosur, në incidentin në “Swiss Casino”, në vitin 2006, mes grupit të Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës.
Enver Sekiraqa aktualisht është në arrest shtëpiak dhe këtë të hënë Gjykata refuzoi sërish kërkesën që t’i ndryshohet masa.
Ai akuzohet se e nxiti vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, ndërsa për vrasjen e Rizës, u dënua me 35 vjet burgim Arben Berisha.