Një javë pasi filloi procesi gjyqësor ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot do të dëgjohen dëshmitarët e parë të Prokurorisë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar do t’i paraqesë edhe provat e para materiale kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Identiteti i shumicës së dëshmitarëve pritet të mbrohet, e seancat të jenë të mbyllura për publikun.
Dëshmitarët në një proces gjyqësor për krime lufte konsiderohen të jenë kyç, e verifikimi i tyre, sipas juristëve është vendimtar në një gjykim të madh.
“Sipas asaj që është parë në aktakuzë e njëjta mbështetet në dëshmitarë, është jetike dhe vendimtare verifikimi i dëshmitarëve, e veçanërisht kredibiliteti i tyre. Për shkak se ka dilema, dyshime e nevoje që të behet verifikimi I dëshmitarëve”, tha Florim Shefqeti, avokat.
Pa dëshmitë e tyre, sipas monitoruesve, Prokuroria do të ketë vështirësi për të dokumentuar rolin apo përgjegjësinë komanduese të ish-krerëve të UÇK-së.
Fondi për të Drejtën Humanitare pret që të ketë dëshmitarë të njëjtë në këtë proces, sikurse në proceset për krime lufte që janë zhvilluar në Tribunalin e Hagës.
“E vetmja formë për ta vërtetuar pretendimet e aktakuzës janë dëshmitarët. Nëse kemi dëshmitarë të mjaftueshëm të cilët do të shëmojmë mbi strukturat e UCK, atëherë mbi këto prova do të thirret prokuroria. Ndërlidhja mes provave material dhe dëshmive”, tha Amer Alija nga fondi për të Drejtën Humanitare.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur 312 dëshmitarë dhe ka kërkuar më shumë se 600 orë kohë për ta.
ZPS-ja pretendon se u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krime kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Sipas aktakuzës Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale, për krimet e kryera dhe sulmet sistematike kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.
Mbrojtja e ish-eprorëve të UÇK-së në deklaratat hyrëse ka kundërshtuar pretendimet e ZPS-së dhe ka vënë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarëve dhe verifikimin e tyre.
Mbrojtja e ish presidentit Thaçi deri tash ka përmendur disa emra publikë që do të mund të dëshmojnë në këtë proces, sikurse gjenerali amerikan Wesley Clark, William Walker, ambasadorët Bernard Kouchner e Daan Everts. /atvlive.tv