Gjykata e Lartë në Beograd ka shtyrë për herë të katërt verdiktin për rastin e Tefik Mustafës, shtetasit të Kosovës që akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e tre policëve serbë më 19 qershor 1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Procesi gjyqësor ka vijuar me seanca të tjera pas asaj të 30 janarit, por vendimi ka vazhduar të shtyhet në mënyrë të përsëritur. Sipas burimeve të ATV, verdikti përfundimtar pritet të shpallet më 28 shkurt 2025.
Mustafa u arrestua nga autoritetet serbe më 1 qershor 2024 dhe iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditë, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes.
Ai akuzohet për “krime lufte kundër popullatës civile”, si bashkëkryes, bazuar në deklaratat e dëshmitarëve që e lidhin atë me zhdukjen e tre zyrtarëve policorë serbë pranë Llabjanit, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.
Arrestimi i tij është kundërshtuar nga autoritetet e Kosovës, të cilat e kanë cilësuar atë si arbitrar dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.
Ky nuk është rasti i parë i arrestimeve të shtetasve të Kosovës nga Serbia nën dyshimet për krime lufte.
Në vitet e fundit, disa persona janë ndaluar dhe akuzuar për ngjarje që datojnë nga lufta e viteve 1998-99, ndërsa autoritetet kosovare i kanë konsideruar këto veprime si të motivuara politikisht. /atvlive.tv