Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka fituar përfundimisht procesin gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit kundër kompanive KEDS dhe KESCO.
Sipas vendimit të Tribunalit, dy kompanitë private detyrohen t’i paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, shumë që përfshin interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara ndër vite.
Në komunikatën zyrtare, KEK ka theksuar se ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm ligjor dhe institucional për sektorin energjetik të Kosovës, duke forcuar njëkohësisht pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin e korporatës.
“KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS dhe KESCO). Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër. Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Sipas korporatës, gjatë shqyrtimit të rastit, Tribunali ka konstatuar “faktet e pakontestuara” se KEK ka realizuar furnizimin me energji elektrike në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ndërsa KEDS dhe KESCO nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.
KEK ka shprehur mirënjohje për Avokaturën Shtetërore për kontributin e dhënë gjatë gjithë procesit të arbitrazhit.
“Një fitore me rëndësi strategjike për KEK-un dhe për sektorin energjetik të vendit”, thuhet në fund të komunikatës.







