GJND-ja pritet ta urdhërojë Izraelin t’i ndalë operacionet në Gaza

Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara pritet të vendosë të premten mbi një lutje urgjente nga Afrika e Jugut, për ta urdhëruar Izraelin të ndalojë operacionet e tij ushtarake në Gaza dhe të tërhiqet nga enklava.

Një urdhër armëpushimi nga gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të bënte më shumë presion mbi një Izrael gjithnjë e më të izoluar, ndërsa vazhdon sulmin e tij ushtarak ndaj Gazës, pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit nga militantët e udhëhequr nga Hamasi, raporton AP.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është gjithashtu nën presion të madh brenda shtetit për t’i dhënë fund luftës. Mijëra izraelitë i janë bashkuar demonstratave javore duke i bërë thirrje qeverisë të arrijë një marrëveshje për të sjellë në shtëpi pengjet izraelitë të cilët ndodhen në robërinë e Hamasit, nga frika se koha po mbaron.

GJND-ja ka kompetenca të gjera për të urdhëruar një armëpushim dhe masa të tjera, por ajo nuk ka aparatin e saj të zbatimit. Në një rast tjetër në dosjen e saj, Rusia deri më tani ka injoruar një urdhër të vitit 2022 nga gjykata për të ndaluar pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Urdhri i së premtes pritet të vijë vetëm pak ditë pasi prokurori i një tjetër gjykate në Hagë, Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale, ka njoftuar se ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahun, ministrin izraelit të Mbrojtjes dhe tre liderë të Hamasit.

Duke reaguar ndaj vendimit të kësaj gjykate, Netanyahu ka thënë se “asnjë mënyrë e presionit dhe asnjë vendim i ndonjë forumi ndërkombëtar do ta parandalojë Izraelin nga mbrojtja e vetes kundër atyre që kërkojnë shkatërrimin tonë”.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA