Gjilani dhe Ferizaj luajtën baras 2-2 në një përballje shumë dramatike të Superligës së Kosovës.
Vendasit kaluan në epërsi pas 22 minutash me Senad Jarovic, i cili shënoi nga afërsia pas asistimit të Edi Basës. Por në minutën e fundit të kohës shtesë të pjesës së parë, Qlirim Avdulli asistoi Jakup Berishën, i cili shënoi një gol të bukur për 1-1, duke mbyllur kështu 45 minutat e para me rezultatin baras.
Në pjesën e dytë, Gjilani riktheu epërsinë në minutën e 60-të, kur përsëri Senad Jarovic shënoi me kokë për 2-1. Por fundi i ndeshjes u bë dramatik: Jakup Berisha shënoi një gol për të barazuar rezultatin në 2-2, i cili fillimisht u anulua nga VAR për shkak të një fauli brenda zonës. Megjithatë, nga pika e bardhë e penalltisë, Berisha tregoi saktësi, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Me këtë barazim, dy ekipet ndanë nga një pikë. Gjilani mbetet në vendin e tetë me 16 pikë, ndërsa Ferizaj renditet një pozitë më poshtë me 15 pikë.







