Bëhet e ditur se gjiganti anglez, Liverpool ka bërë një ofertë prej 200 milionë eurosh për yllin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe.
Mbappe, i cili iu bashkua PSG-së në vitin 2017 nga Monaco, ka shënuar plot 212 gola në 260 ndeshje për kampionin francez, raporton KosovaPress.
Sidoqoftë, Mbappe e ka informuar PSG-në muajin e kaluar që ai nuk do ta aktivizojë opsionin për ta rinovuar kontratën edhe për një vit, gjë që nënkupton se ai mund të largohet si lojtar i lirë nga klubi në verën e vitit 2024.
Tani, Mbappe, i cili ka qenë i lidhur në të kaluarën me Liverpoolin dhe madje kishte pasur bisedime me gjigantin anglez para se ta zgjaste aventurën e tij në Paris, sipas gazetarit Edu Aguirre, është subjekt i një oferte prej 200 milionë eurosh nga “Të Kuqtë”.
Ajo çfarë ka ndodhur gjatë orëve të fundit në zyrat e PSG-së është që një ofertë nga Liverpooli ka arritur, i tha Aguirre “Sport Witness”.
“Liverpooli i ka hyrë garës. Liverpooli ka bërë një ofertë prej 200 milionë eurosh për Mbappen. Oferta nga Liverpooli e cila ka arritur në orët e fundit në zyrat e PSG-së është 200 milionë euro. Al-Khelaifi e ka vënë në shitje Mbappen”, tha Aguirre.