Një varrezë e re e zbuluar në Bjeshkët e Strellcit ka sjellë një zhvillim në kërkimin e të pagjeturve, por njëkohësisht ka ngritur pikëpyetje të reja.
Ndërsa Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar për gjetjen e mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit, banorët e zonës hedhin dyshime mbi këtë version.
Përballë këtyre versioneve të kundërta, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpjegon për ATV-në se për të konfirmuar përputhshmërinë e mbetjeve mortore me familjarët që kanë dorëzuar mostra referuese, kërkohet një rezultat i saktë shkencor.
“Po flasim për një përputhshmëri prej 99.9% ose 99.95%, do të thotë se vetëm në raste të tilla mund të ketë konfirmim të përputhshmërisë” deklaroi për ATV-në Kushtrim Gara
Megjithatë, ai sqaron se ka edhe përjashtime nga ky rregull i përputhshmërisë së lartë, të cilat kërkojnë procedura shtesë dhe një rishqyrtimi të hollësishëm nga ekspertët.
“Mund të jenë raste specifike që pastaj duhet investim shtesë, po flas në kuptimin e mostrave shtesë referuese apo një rikthim në shqyrtimin e serishëm të mostrave” tha ai.
Ndërkohë që ekspertët mjeko-ligjorë po punojnë për identifikimin e eshtrave të Strellcit, Kosova vazhdon t’i kërkojë Serbisë të hapë arkivat shtetërore, për të kuptuar vendndodhjen e afër 1,600 personave që ende mungojnë që nga përfundimi i luftës.