Gjashtë kompani të interesuara për projektin “Parku Solar”

Përgatiti: Armand Hoti

Gjashtë kompani, sipas Ministrisë së Ekonomisë, kanë dorëzuar ofertat për realizimin e projektit të Parkut Solar me kapacitet prodhues 100 megavat për orë.

Ankandi i Parë ka qenë i hapur deri të mërkurën, ndërsa për ndërtimin e këtij parku solar është caktuar fshati Kramovik i Rahovecit.

Implementimi i këtij projekti, sipas ekspertit të energjisë, Naim Bujupi, është hap pozitiv në procesin e tranzicionit energjetik të Kosovës.

“Kosova tash ka vendosur edhe targetet e saj drejt tranzicionit të energjisë, që termocentralet ekzistuese të zëvendësohen me energji të ripërtërishme. Përkundër vonesave ne patëm diku katër shtyrje për këtë proces të ankandit dhe kemi tash gjashtë ofertues dhe kjo është lajm i mirë. Ofertat janë vetëm një fazë, mbetet të shihen fazat e tjera që përfshijnë vlerësimin e ofertave, pastaj marrëveshjet që duhet të nënshkruhen mes palëve dhe më pas ndërtimi”, tha Bujupi.

Pavarësisht se vlerësohet si projekt i rëndësishëm për vendin, sipas Bujupit, kapacitetet prodhuese të parkut solar do të jenë të vogla krahasuar me termocentralet.

“Diku 1300 orë në vit punojnë. Nëse i ekuivalentojmë me kapacitetet e termocentraleve i bie që 16 megavat të termocentraleve, zëvendësohen me 100 megavat të paneleve solare”, tha Bujupi.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme në përcaktimin e çmimit për blerje të energjisë nga kompania fituese.

“Qeveria duhet të ketë kujdes në blerjen e energjisë për 15 vitet e ardhme, në përcaktimin e çmimit pasi siç e dimë vitin e kaluar kemi pasur humbje të mëdha për shkak të një marrëveshjeje të pakujdesshme në përcaktimin e çmimit sipas tregut”, tha Qerimi.

Për realizimin e këtij projekti shteti ofron tokën publike me qira për 30 vjet, qasje të lehtë për automjete dhe pajisje, marrëveshje të garantuar për blerje të energjisë solare për 15 vjet, si dhe kyçje të afërt në rrjetin e transmisionit.

Ndërkohë, deri në vitin 2031, referuar Strategjisë për Energjinë, Kosova synon që 35% e kërkesës për energji të mbulohet nga energjia e gjeneruar nga burimet e ripërtërishme.

Aktualisht, rreth 82% e energjisë në Kosovë, prodhohet duke djegur thëngjill.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA