Abdullah Haradinaj del shpesh në parkun e Gërmisë.
Gjatë ecjes këndej, i ka rënë të shohë edhe gjarpërinj, por nuk është ndier i rrezikuar. Thotë se kohëve të fundit është rralluar prezenca e tyre.
“Parkun e Gërmisë e frekuentoj 3 herë në javë. Para dy vjete kam pa me shumicë në këtë pjesë. Dal natën e ditën po nuk ndihem i rrezikuar”, thotë Abdullah Haradinaj, qytetar.
Qytetarë të tjerë thonë se nuk kanë hasur asnjëherë në ta, deri tash.
‘’Çdo ditë dal për të ecë, mirëpo nuk kam pa gjarpërinj”, thotë një qytetar.
Sipas fotografit të botës së egër, Arian Mavriqi, në Gërmi ka vetëm një lloj gjarpri helmues. Mirëpo, deri tash nuk është shënuar ndonjë rast kafshimi nga ta.
“Në Gërmi si shumë vende tjera të Kosovës ka gjarpërinj. Prej tyre është vetëm një helmues, është Vipera Ammodytes. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë kafshim, atëherë mos keni panik dhe duhet automatikisht të kontaktoni mjekësinë familjare më të afërt që mund të na ndihmojnë derisa të marrim serumin e duhur”, tha Arian Mavriqi, fotograf i botës së egër.
Se ky lloj i zvarranikëve është prezent në Parkun Kombëtar të Gërmisë, e konfirmon edhe drejtori për Siguri dhe Emergjencë në komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica. Megjithatë, ky thotë se autoritetet nuk guxojnë të ndërhyjnë në largimin e tyre.
‘’Është habitat i tyre i mbrojtur dhe si i tillë nuk ka askush të drejtë të intervenojë dhe t’i largojë nga ambienti i tyre natyror, nuk ka të drejtë askush të prishë disbalancin apo ekuilibrin e Florës dhe Faunës në parkun e qytetit”, tha Fushtica.
Në Parkun e Gërmisë ka edhe disa lloje të tjera të kafshëve të egra, të cilat janë të mbrojtura me ligj. /ATV
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: