Kylian Mbappé është ngjitur në krye të renditjes së “Këpucës së Artë” për këtë sezon, duke barazuar numrin e golave me Harry Kane. Sulmuesi francez shënoi dy gola fundjavën e kaluar në ndeshjen e zhvilluar në Estadio de la Cerámica, duke e çuar kuotën e tij në 21 gola, po aq sa anglezi i Bayern Munich.
Falë kësaj paraqitjeje ndaj Villarrealit, Mbappé ka kaluar Erling Haaland në renditjen e golashënuesve. Norvegjezi nuk u aktivizua në fitoren e Manchester Cityt kundër Wolves këtë fundjavë dhe mbetet me 20 gola.
Nga ana tjetër, edhe Harry Kane nuk arriti të shënojë në humbjen befasuese të Bayernit ndaj Augsburgut, çka bëri që gara për “Këpucën e Artë” të mbetet plotësisht e hapur.
Në dhjetëshen e parë të renditjes gjendet edhe ylli kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi, i cili ka grumbulluar 28 pikë, falë 14 golave të shënuar këtë sezon në La Liga.
Duhet theksuar se në kampionatet kryesore evropiane – La Liga, Premier League, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1 – çdo gol vlerësohet me dy pikë, ndërsa në ligat e tjera të Evropës golat kanë koeficient më të ulët, që varion nga 1 deri në 1.5 pikë për gol.
Renditja aktuale e “Këpucës së Artë”: Harry Kane (Bayern Munich), Kylian Mbappé (Real Madrid), Erling Haaland (Manchester City), Igor Thiago (Brentford), Darko Lemajic (RFS), Vangelis Pavlidis (Benfica), Vedat Muriqi (Mallorca), Ibrahim Diabaté (GAIS), Daniel Karlsbakk (Sarpsborg 08), August Priske Flyger (Djurgårdens IF) dhe Ayase Ueda (Feyenoord).






