Që nga debutimi i tij në fillim të vitit 2024, Galaxy AI i Samsung ka vazhduar të zgjerojë shpejt mbështetjen për gjuhë të ndryshme, duke e bërë më të aksesueshëm për përdoruesit në mbarë botën.
Në prill 2024, numri i gjuhëve të mbështetura arriti në 16, ndërsa në dhjetor të të njëjtit vit, ky numër u rrit në 20. Tani, Galaxy AI ka shtuar dy gjuhë të reja: filipinishten dhe guxharatishten, të cilat janë tashmë të disponueshme për shkarkim si paketa gjuhësore brenda aplikacionit “Cilësimet”. Filipinishtja flitet nga rreth 87 milionë njerëz, ndërsa guxharatishtja nga rreth 62.5 milionë.
Zhvillimi i këtyre dy gjuhëve u realizua në bashkëpunim me qendrat kërkimore të Samsung në Indonezi dhe Indi. Me këto shtesa, Galaxy AI mbështet tani 22 gjuhë të ndryshme, të cilat fliten nga gati 74% e popullsisë globale – rreth 5.9 miliardë njerëz.
Samsung raporton gjithashtu se më shumë se 70% e përdoruesve të Galaxy S25 angazhohen rregullisht me Galaxy AI dhe Google Gemini, ndërsa 47% e përdoruesve e përdorin AI-në në jetën e tyre të përditshme. Kompania parashikon që deri në fund të këtij viti, Galaxy AI të arrijë mbi 400 milionë pajisje, duke e dyfishuar suksesin e arritur gjatë vitit 2024 me 200 milionë pajisje.


 
                                     
    




