Në ditën e katërt të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari i komunë së Gjilanit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për mandat të dytë, Alban Hyseni gjatë një tubimi madhështor ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, theksoi punët e kryera gjatë mandatit të parë dhe nënvizoi rëndësinë e votës së qytetarëve më 9 nëntor. “Gjilani është me zemër me Lëvizjen Vetëvendosje! Të dielën do ta vulosim fitoren,” tha Hyseni.
Në Viti, kandidati Arsim Ademi, gjatë një tubimi ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, u drejtua te qytetarët duke kërkuar mbështetjen e tyre. Ai premtoi një qeverisje efikase, të drejtë dhe transparente, me derën e hapur për çdo qytetar që ka ide për të ardhmen e komunës.
Në kryeqytet, kandidati Hajrulla Çeku nëse arrin të bëhet kryetar synon lehtësimin e trafikut dhe zgjerimin e parkingjeve publike.
Ai gjatë ditës vlerësoi arritjet e nxënësve të Shkollës së Muzikës “Amadeus” në garat ndërkombëtare, duke e parë si frymëzim për të rinjtë e Prishtinës.
Kandidati Ardian Gola në Gjakovë, premtoi rikthimin në funksion të Parkut “Ali Podrimja”, themelimin e festivalit ndërkombëtar të poezisë dhe ndërtimin e një teatri modern për artistët lokal.
Në Prizren, kandidati i LVV-së, Artan Abrashi, mori pjesë në disa takime me qytetarët së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ku u pritën me mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët.
Abrashi nënvizioi energjinë dhe vendosmërinë e banorëve të Korishës dhe Kurillës për ndryshim dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dielën më 9 nëntor të votojnë për ndryshimin që Prizreni e meriton.
Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi premtoi vëmendje për fshatrat dhe lagjet, dhe se qytetarët nuk duhet të jenë viktimë e premtimeve të rreme.
Valon Prebreza kandidat për kryetar në Fushë Kosovë inkurajoi qytetarët që të votojnë numrin 105.
Në Mitrovicë, kandidati i Vetëvendosjes Faton Peci prezantoi planet për rehabilitimin e Kodrës së Cërnushës dhe krijimin e ekipeve vullnetare për parandalimin e zjarreve pyjore.
Ndërsa në Vushtrri, Sylejman Meholli premtoi se dëmet nga vërshimet e vitit 2023 do të kompensohen për fermerët dhe ekonomitë familjare.
Në Obiliq, kandidati Halil Thaçi premtoi kthimin nën menaxhim të komunës të një objekti shkollor që ka qenë peng i uzurpatorëve për shumë vite.







