Sot në mbrëmje, në orën 21:00, Juventusi do të përballet me Bodø/Glimt në stadiumin “Aspmyra” në Bodø, në ndeshjen e javës së 5-të të fazës së Ligës së Kampionëve. Kjo është një sfidë që trajneri Luciano Spalletti e konsideron vendimtare për fushatën evropiane të skuadrës bardhezi.
Ndeshja në veri sjell sfida të veçanta: temperatura të ulëta dhe fushë sintetike janë faktorë që mund të ndikojnë në lojën e Juventusit. Pas barazimit 1-1 kundër Fiorentinës në kampionat, skuadra e Spallettit duhet të përballet me mot të ashpër dhe një Bodø/Glimt që mbështet forcat e saj kryesore në shtëpi.
Derbi evropian vjen në një moment kritik: Juventusi ka grumbulluar vetëm tre pikë deri tani, nga tre barazime (kundër Borussia Dortmund, Villarreal dhe Sporting) dhe një humbje ndaj Real Madridit në “Bernabeu”. Edhe norvegjezët ende kërkojnë fitoren e parë, pas dy barazimeve dhe dy humbjeve.
Spalletti e pranon se sfidat e mjedisit norvegjez janë të veçanta:
“Pata mundësinë dhe kënaqësinë të luaja në këto fusha gjatë karrierës sime si lojtar. Për ata që janë mësuar me këto temperatura, është ndryshe, sepse janë mësuar të thithin këtë ajër të ftohtë, të therës që të dhemb sytë. Një sfidë si kjo është gjithashtu emocionuese, sepse duhet të provosh se mund të përshtatesh me çdo situatë dhe të menaxhosh vështirësitë.” /ATVLIVE.TV








