Përgatiti: Sara Shehu
Ka mbi 3 mijë banorë, por fshati Koshare në Komunën e Ferizajt ende nuk ka Qendër të Mjekësisë Familjare.
Planet për ndërtimin e qendrës kishin filluar qysh në vitin 2021, duke u renditur në projektet e Kornizës Afatmesme Buxhetore të Komunës për vitet 2022-2024.
Megjithatë, drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini, thotë se ka arsye përse ndërtimi nuk filloi.
“Ne kemi projekt për Koshare QMF në investime kapitale për vitin 2024, janë ndarë 50 mijë euro, vonesat në punime kanë qenë për shkak të stafit mjekësor s’ka pasë mjaftueshëm, është destinuar përmes kuvendit komunal edhe prona”, tha Emini.
Mungesën e qendrës, më së shumti e vuajnë banorët të cilët duhet të udhëtojnë së paku 7 kilometra deri tek QFM-ja më e afërt.
“Ky fshat ka më shumë se 500 shtëpi dhe mbi 3000 banorë e oshtë koxha problem se për çdo rast që kanë probleme me shëndet po duhet me shku n’qendër me marr e kjo po iu kushton edhe në rrugë shtrenjtë, komuna na ka thane se s’kanë financim edhe staf mjekësor”, tha kryetari i fshatit Koshare, Sadik Qerimi.
Kritika për situatën në këtë fshat kanë edhe aktivistë të shoqërisë civile. Nëpërmes një përgjigje me shkrim, Mexhit Ramusa, i cili monitoron në vazhdimësi çështjen e investimeve të kujdesit parësor shëndetësor në këtë komunë, thotë se Komuna e Ferizajt, ndër vite, ka mungesë të investimeve, në zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore.
Situatë e njëjtë si në Koshare, është edhe në fshatin Rakaj.