Pas një fushate jashtëzakonisht të suksesshme në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, Kosova vazhdon të ruajë shpresat për pjesëmarrje në turneun kryesor të vitit të ardhshëm.
Trajneri Franco Foda ka konfirmuar interesin për të vazhduar bashkëpunimin me ekipin kombëtar, duke lënë të hapur mundësinë e rinovimit të kontratës.
“Po zhvillojmë bisedime. Si unë, ashtu edhe federata, duhet të jemi të kënaqur me kushtet dhe ambientin profesional. Prandaj, është e mundur që të qëndrojmë edhe më gjatë në Kosovë,” tha Foda për mediat gjermane.
Ish-trajneri i FC Zurich është i kënaqur me punën dhe marrëdhëniet që ka krijuar me ekipin. Aktualisht, kontrata e tij skadon në korrik 2026.
Kosova shënoi një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Suedisë, duke rikthyer optimizmin në radhët e “Dardanëve”.
Nëntori do të jetë vendimtar, ku Kosova përballet me Slloveninë (15 nëntor) dhe shpreson në rezultate të favorshme për të siguruar kualifikimin direkt. Në rast të kundërt, rruga për në Botëror do të vazhdojë përmes play-off-it në mars.
Ndeshjen përmbyllëse të këtyre kualifikimeve Kosova e luan në shtëpi kundër Zvicrës me datë 18 nëntor. /ATVLIVE.TV