“France24” s’e lë Kurtin të mburret: KE-ja ka rezerva serioze për pavarësinë e gjyqësorit

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për France24, ka shprehur keqardhjen që “ne jemi të vetmit në Evropë që nuk e kemi statusin e vendit kandidat”.
Kjo, sipas tij, po ndodhë “sepse Këshilli Evropian nuk po i kërkon Komisionit Evropian të japë një opinion për Kosovën”.
Reklamë
“Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat tona sa u përket indekseve demokratike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit, demokracisë zgjedhore dhe demokracisë liberale”, deklaroi mes tjerash Kurti.
Ai tha se Kosova nuk dëshiron rrugë të shkurtra, as dyer të pasme dhe as procedura të përshpejtuara.
“Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë. Do t’u përgjigjemi me përkushtim dhe kujdes mijëra pyetjeve në pyetësorin, i cili ende nuk i është dërguar Kosovës. Shpresojmë që në javët apo muajt e ardhshëm ta marrim statusin e vendit kandidat, pasi jemi të vetmit në Evropën kontinentale që nuk e kemi atë”, tha kryeministri.
Në këtë intervistë, ai i referohet “dinamikave të brendshme” në Këshillin e BE-së si arsye përse Kosovës ende nuk i është dërguar pyetësori që do të shënonte nisjen e procesit.
Me fjalë të tjera, “France24” thotë se bëhet fjalë për pesë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Spanja, Qiproja, Rumania, Greqia dhe Sllovakia.
Por, a mund t’ua ndryshojë Kosova qëndrimin këtyre vendeve?
“Ne e kemi rritur vazhdimisht bashkëpunimin dhe komunikimin me pesë shtetet që nuk na njohin. Atyre u kemi kërkuar t’i bashkohen shumicës, pra 22 vendeve anëtare të BE-së që na njohin. Ka pasur njëfarë përparimi gradual. Për shembull, Spanja e njeh pasaportën tonë, ndërsa statusi i zyrës sonë në Athinë është ngritur në një nivel më të lartë. Këto janë shenja pozitive, megjithatë njohja ende mungon”.
“Sidoqoftë, BE-ja nuk ka probleme me pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën, sepse ka gjetur një formulë kreative: ‘Diversitet në njohje, por unitet në angazhim’. Kështu, ne kemi arritur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave. Pesë shtetet që nuk na njohin nuk janë pengesë për dërgimin e pyetësorit në Kosovë, në kuadër të procesit të anëtarësimit”, thotë Kurti.
FRANCE 24 ia përmend Kurtit se Komisioni Evropian ende ka rezerva serioze lidhur me disa prej reformave në Kosovë, veçanërisht sa i përket pavarësisë së gjyqësorit.
“Ne i pranojmë kritikat e BE-së lidhur me sistemin tonë gjyqësor dhe prokurorinë. Prandaj edhe kanë nisur reformat. Tani jemi në prag të themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Pra, nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një vilë të madhe, apo disa të tilla”.
“Kështu që jemi në një proces pozitiv të reformimit të sistemit të drejtësisë. Por të mos harrojmë se pikërisht procesi i integrimit në BE – hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe grupeve të kapitujve – do të na ndihmonte shumë për të reformuar jo vetëm sistemin gjyqësor, por edhe administratën publike”, përgjigjet kryeministri.
Kurti lë të kuptohet se është ende herët për të vlerësuar nëse mund të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat ish-presidenti Alleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare.
Megjithatë, ai thekson se “ne duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të”.
Ai vazhdon:
“Kosova është shtet i pavarur, republikë demokratike, dhe sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet tona dhe për rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”.
Reklamë







