Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur hapur për situatën e Emir Sahitit dhe Bersant Celinës, duke sqaruar se kërkon respekt dhe profesionalizëm nga të gjithë lojtarët e tij.
Foda theksoi se Sahiti duhet të ndryshojë qëndrim dhe të mos shpreh pakënaqësi në publik, pas deklaratave që sulmuesi i Hamburgut kishte dhënë në mediat gjermane, ku ishte ankuar se meritonte më shumë minuta në fushë me Kosovën.
“Te Emiri është situatë ndryshe, sepse nuk lejoj që askush të flasë keq për bashkëlojtarët. E pashë intervistën e tij në media – mund të ketë pakënaqësi nëse luan apo jo, por duhet të pranojë vendimet e trajnerit”, deklaroi Foda.
Ai shtoi se nuk ka asnjë problem personal me Sahitin, por se për të është thelbësore që çdo futbollist të respektojë vendimet dhe të mos krijojë tensione brenda grupit.
“Nuk është intervista arsyeja pse nuk është ftuar, por për mua ka rëndësi që në publik të mos flitet për lojtarët e tjerë. Sahiti luan në një pozitë ku kemi konkurrencë të madhe dhe këtë herë kemi vendosur për këtë ekip”, tha ai.
Ndërkohë, për Bersant Celinën, Foda konfirmoi se ka zhvilluar një bisedë me mesfushorin e AIK-ut dhe se ai mbetet në planet e tij për të ardhmen.
“Me Celinën kisha një bisedë të këndshme para dy javësh. Është gati të luajë për Kosovën dhe nëse vazhdon me paraqitje të mira, ftesa mund të vijë shumë shpejt”, tha tekniku gjerman.
Kombëtarja e Kosovës zhvillon këtë muaj dy sfida të rëndësishme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026 — më 10 tetor ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, dhe më 13 tetor në udhëtim ndaj Suedisë.