Barcelona doli pa pikë nga transferta ndaj Chelseat, duke u mposhtur 0–3 në ndeshjen e radhës të fazës së grupeve në Champions League. Pas sfidës, trajneri Hansi Flick u shfaq i zhgënjyer nga rezultati, duke theksuar se ndeshja mori kthesë negative që në minutat e para.
Flick theksoi se katalanasit humbën një rast ideal për të kaluar në avantazh, ndërsa kartoni i kuq që pasoi i vuri skuadrës presion të madh:
“Kishim një mundësi të shkëlqyer për të shënuar të parët, por nuk e konkretizuam. Më pas, të luash me një lojtar më pak kundër një ekipi si Chelsea nuk është aspak e lehtë,” u shpreh tekniku gjerman.
Ai pranoi se skuadra e tij hasi vështirësi serioze në ndërtimin e aksioneve dhe në ruajtjen e qetësisë me topin:
“Luftuam, por humbëm topa të thjeshtë dhe bëmë pasime të pasakta. Duhet t’i analizojmë këto gjëra. Nuk e di sa minuta e luajtëm me dhjetë lojtarë, por ishte një kohë e gjatë. Chelsea është shumë e fortë me topin në zotërim.”
Megjithatë, Flick u përpoq të nxjerrë edhe anën pozitive nga kjo humbje:
“Duhet ta pranojmë rezultatin, por edhe të shohim gjërat e mira. E dimë që është e vështirë të futemi në top 8, por do të përpiqemi deri në fund.”
Pas kësaj ndeshjeje, Barcelona zbret në vendin e 15-të në renditjen e përgjithshme të grupeve, ndërsa Chelsea ngjitet në pozitën e 5-të.







