Kombëtarja e Kosovës në hendboll (meshkujt) është kualifikuar në raundin e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027, pasi ka shënuar fitore bindëse ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 35:30 (17:13), në ndeshjen e kthimit të zhvilluar para rreth një mijë shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Dardanët kishin një epërsi të rëndësishme nga takimi i parë në Derby, ku kishin triumfuar me rezultat 32:26, duke hyrë kështu të motivuar për të konfirmuar kualifikimin edhe para tifozëve vendas.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me rivalitet të fortë, por në dhjetë minutat e fundit të saj Kosova arriti të shkëputet në rezultat dhe ta mbyllë këtë pjesë me katër gola epërsi, 17:13.
Në fillim të pjesës së dytë, Britania e Madhe reagoi fuqishëm dhe arriti ta barazojë rezultatin në 18:18, madje edhe të kalojë në epërsi 18:20 pas një serie prej 1:7. Edhe pse kundërshtari arriti të mbante avantazhin deri në 21:23, Dardanët rikthyen kontrollin e lojës dhe në minutën e 50-të kaluan sërish në epërsi me 26:24.
Në minutën e 55-të, Kosova kishte krijuar tashmë epërsi të sigurt 31:26, duke e menaxhuar ndeshjen me përvojë deri në fund. Përfundimisht, Dardanët triumfuan me rezultat 35:30, duke siguruar kalimin e merituar në fazën tjetër të garave.
Me këtë fitore të dyfishtë ndaj Britanisë së Madhe, Kosova dëshmoi progres të dukshëm nën drejtimin e përzgjedhësit Jesper Östlund, ndërsa synimet tani janë të qarta – një paraqitje dinjitoze edhe në raundin e dytë të kualifikimeve drejt Kampionatit Botëror 2027. /ATVLIVE.TV







