Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me festën e Fitër Bajramit, më 20 mars.
Në njoftimin e BIK thuhet se manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
Programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim Beqiri.
Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.
Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.
Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.
Me fat festa e Fitër Bajramit!”, thuhet në njoftim.






