Përgatiti: Nora Luta
Lista me emrat e të vrarëve në burgun e Dubravës është e gjatë.
Dhe secili nga 109 të burgosurit që u vranë gjatë një operacioni masiv të forcave serbe në maj të 1999-s, janë përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e cila e ngarkon për krime lufte 65-vjeçarin nga Istogu, Gavrilo Milosavleviç.
Milosavleviç akuzohet se individualisht dhe në bashkëkryerje me forcat serbe, në cilësinë e zyrtarit, në këtë burg mori pjesë në këto vrasje dhe plagosjen e 108 personave të tjerë.
Operacioni i forcave serbe kishte zgjatur nga 19 deri më 24 maj të 1999-s. Më 22 maj, në ditën e masakrës rreth 1 mijë të burgosur ishin urdhëruar të dalin te vendi i quajtur “Fusha e Sportit”.
Sipas organit të akuzës, disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur Ukshin Hoti, fati i të cilit ende nuk dihet, duke e fajësuar atë për bombardimet e NATO-s.
Për veprimet që akuzohet se i kreu para 23 vjetësh, Gavrilo Milosavleviç thotë se nuk ndihet fajtor.
Mbrojtja e Milosavlevicit, i cili është në paraburgim që nga dhjetori i vitit të kaluar, ka kërkuar një masë alternative, duke shprehur gatishmëri edhe për pagesë për dorëzani.
Kërkesa e Vasicit është kundërshtuar nga Prokuroria Speciale, e cila ngriti aktakuzë ndaj klientit të tij, në fund të muajit nëntor.
PSRK-ja është duke hetuar edhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në masakrën e Dubravës, gjatë së cilës u vranë 160 persona, e mbetën të plagosur më shumë se 300.