Na ndajnë vetëm 7 muaj nga fillimi i Kampionatit Botëror, që këtë herë do të mbahet për herë të parë në tre shtete: SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Para finales së Kupës Ndërkontinentale FIFA në Doha, Këshilli i FIFA-s mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe çështjet e qeverisjes. Me entuziazmin në rritje pas shortit përfundimtar të zhvilluar më 5 dhjetor 2025 në Uashington DC, Këshilli miratoi një kontribut financiar rekord prej 727 milionë dollarësh amerikanë që do të shpërndahet si rezultat i Kupës së Botës FIFA 2026.
Pjesa më e madhe – 655 milionë dollarë amerikanë, që shënon një rritje prej 50% krahasuar me edicionin e mëparshëm – do të shpërndahet mes 48 ekipeve pjesëmarrëse, sipas kësaj strukture:
• Kampionët: 50 milionë dollarë
• Nënkampionët: 33 milionë dollarë
• Vendi i 3-të: 29 milionë dollarë
• Vendi i 4-t: 27 milionë dollarë
• Vendet 5–8: 19 milionë dollarë
• Vendet 9–16: 15 milionë dollarë
• Vendet 17–32: 11 milionë dollarë
• Vendet 33–48: 9 milionë dollarë
Kujtojmë se Botërori 2026 nis më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik. /ATVLIVE.TV






