Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Knäbel, ka komentuar largimin e dy prej talenteve më premtues të futbollit zviceran, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët zgjodhën të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për televizionin zviceran SRF, Knäbel theksoi se federata ka bërë gjithçka për t’i mbajtur dyshen në përfaqësuesen helvete.
“Ne bëmë gjithçka. E kam vizituar Leon Avdullahun në Hoffenheim, së bashku me Murat Yakin, por vendimi i tij tashmë ishte marrë”, tha ai.
Ai shtoi se rasti i Avdullahut dhe Hajdarit është një sinjal i qartë për rëndësinë e lojtarëve me origjinë të dyfishtë. Sipas Knäbel, rreth 70% e lojtarëve në akademitë zvicerane kanë dy shtetësi, gjë që rrit konkurrencën ndërkombëtare midis federatave për sigurimin e talenteve.
Presidenti i federatës beson se një vendim i hershëm nga ana e lojtarëve do të ishte i dobishëm si për federatat, ashtu edhe për vetë futbollistët, por shton se është e vështirë të përcaktohet një afat i detyrueshëm:
“Një vendim i hershëm do t’i ndihmonte të dyja palët. Por është e vështirë të përcaktosh një datë fikse.”
Rasti i Avdullahut dhe Hajdarit vazhdon të hapë debat në Zvicër, ku gjithnjë e më shumë futbollistë me origjinë të huaj përfaqësojnë potencial të madh për disa kombëtare njëkohësisht. Federata zvicerane duket e vendosur të forcojë strategjinë për të ruajtur lojtarët e rritur në vend, por gara me federata të tjera vetëm sa po ashpërsohet. /ATVLIVE.TV






