Kampioni i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, ka realizuar një arritje historike duke u kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, një sukses i jashtëzakonshëm që tregon për zhvillimin e futsallit në Kosovë.
Të hënën, në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, skuadra kosovare do të presë FC Riga në duelin e parë të fazës eliminatore. Ndeshja do të luhet në orën 20:25 dhe është një mundësi e artë për të afruar FC Prishtinën 01 drejt objektivit të madh: kualifikimi në mesin e tetë ekipeve më të mira të Evropës.
Trajneri Haki Ahmeti u shpreh shumë i entuziazmuar për arritjen dhe ftoi tifozët të mbështesin ekipin. “Jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri tani, por ambicia jonë është edhe më e madhe. Ekipi është i gatshëm dhe i përgatitur për ndeshjen me FC Riga. Ftoj tifozët të jenë në numër sa më të madh dhe të na mbështesin”, tha Ahmeti.
Kapiteni Shefki Kameri theksoi rëndësinë e këtij momenti dhe besimin se skuadra mund të arrijë më shumë. “Kemi kaluar në një fazë shumë të rëndësishme të garës. Ky është një sukses i madh dhe besojmë se mund të futemi në mesin e tetë më të mirave në Ligën e Kampionëve”, u shpreh Kameri.
Ky është një moment historik për futsallin kosovar dhe për FC Prishtina 01, dhe të gjithë tifozët e futsallit janë të ftuar të jenë pjesë e tij për të mbështetur ekipin që mund të shkruajë një kapitull të ri në historinë e klubit. /ATVLIVE.TV







