Projekti për rinovimin e stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren është në fazën përfundimtare të procedurave dhe shumë shpejt do të nënshkruhet kontrata për realizimin e tij.
Këtë e bëri të ditur zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
“Edhe stadiumi i Prizrenit po merr formë! Jemi në prag të nënshkrimit të kontratës për një projekt me vlerë trembëdhjetë milionë euro, që parashikon modernizimin e plotë të stadiumit në një arenë moderne, sipas standardeve të UEFA-së, me një kapacitet prej 7,750 ulësesh,” tha Osmani.
Sipas saj, ky investim përbën një lajm të mirë jo vetëm për klubin historik Liria, por edhe për të gjithë komunitetin sportiv dhe tifozët e qytetit të Prizrenit, të cilët presin me padurim një infrastrukturë dinjitoze për futbollin lokal. /ATVLIVE.TV