Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Banesa e Astrit Kasapolllit është vetëm 38 metra katrorë.
Në fillim të këtij viti, ky dhe 60 familjet e tjera të një kompleksi banesor në lagjen Dardania në Prishtinë, pranuan propozimin e Termokosit për faturimin në bazë të konsumit e jo sipas metrit katror.
Nga kjo, Kasapolli priste çmim më të volitshëm për ngrohje.
Mirëpo, për muajin tetor, kostoja e energjisë termike të shpenzuar, i kushtoi 3 fish më shumë se sezonin paraprak.
“Nga 27 euro sa i vinte sezonin e kaluar, tash erdhi 90 euro, shuma është tëpër e madhe, diçka nuk është normale nuk është tu funksion, shumicën e ditës kanë qenë të ndalura vetëm në mbrëmje i kam leshu…dikush duhet të jep përgjegjësi këtu”, tha Kasapolli.
Nga çmimi që pa në faturë, i habitur është edhe Agim Tahiri.
Andaj, përfaqësuesi i kompleksit banesor, dërgoi disa ankesa në Termokos.
“Mundeni me I fokusu këto dy janë ankesat që I kamë bërë I kanë marrë shifrat dhe na kanë marrë faturat mirëpo ende asgjë nuk ka as sqarim as asnjë arsyetim…”, tha Tahiri.
Kasapolli thotë se edhe kur u vendosen matësit, informacionet lidhur me përdorimin e valvuleve nuk ishin të qarta.
Sipas tij, ankesat lidhur me dyshimet për keqpërdorime nuk u morën parasysh nga ndërmarrja. Dhe kështu sqarime shtesë, presin se do të marrin pasi bënë një hap tjetër.
“E kemi fillu një peticion, ne përmes tij vetëm po dom sqarime…dëshirojmë me pas një zgjidhje ose nga Termokosi ose nga kompania, nuk pe dimë as ku matën as qysh matën, nga 52 tash po paguam në 120 euro nuk është normale…”, shtoi Tahiri.
Në këto rrethana asnjëri prej tyre nuk e ka ndërmend ta kryejnë pagesën.
Ankesa për çmime të larta, kanë edhe konsumatorët që shpenzimi i energjisë u faturohet ende në bazë të metrit katror.
Sqarime për krejt këtë situate ka kërkuar edhe iniciativa CorrWatch, e cila mbikëqyr llogaridhënien e institucioneve publike.
“Këto fatura janë konsideruar të fryra dhe të shpërputhura me standardet e mbrojtjes së konsumatorëve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve dhe në integritetin e procesit rregullativ në sektorin e ngrohjes termike. CorrWatch, i bën thirrje Termokosit të kryejë detyrimin ligjor për shërbim të drejtë e cilësor për konsumatorët dhe ZRRE-së që të ndërhyjë sa herë që të drejtat e tyre shkelen”, thuhet në përgjigjen nga CorrWatch.
Mirëpo, asnjëra prej këtyre dy institucioneve, lidhur me ankesat nuk kanë reaguar publikisht, madje përgjigje nuk i kthyen as ATV-së.