Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se çmimet e faturave janë edhe më të larta se vitin e kaluar. Në komunikatë përmenden gjithashtu çmimet e larta që kanë ndodhur gjatë vitit 2025, për çka u është bërë thirrje qytetarëve për protesta masive dhe bllokim të zyrave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), KESCO-s, por edhe operatorëve privatë.
KMDLNj ka shprehur shqetësimin se me ngritjen e çmimit të faturave të ujit do të paguhet shumë më shtrenjtë edhe për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë.
Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike në vitin që shkoi, edhe ky vit nuk po sjell lajme të mira për qytetarët. Faturat e ujit, që nga janari i vitit 2026, do të jenë më të larta deri në 40 për qind krahasuar me vitin paraprak. ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit për energjinë e shpenzuar, që nënkupton fatura më të larta për energjinë elektrike, në kohën kur këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare, ndërkohë që në masë të madhe po i ngufasin edhe bizneset, një numër jo i vogël i të cilave janë buzë falimentimit.
Si pasojë e moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në mafien energjetike. Prandaj, KMDLNj ka kërkuar që të hetohet ky institucion, i cili pamëshirshëm po e dëmton buxhetin e familjeve kosovare.
KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe i rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe, për pasojë, qytetarët do të paguajnë fatura shumë më të larta për artikuj të tjerë të domosdoshëm për mbijetesë, si dhe për shërbime. Nëse faturat për ujë dhe mbeturina, edhe me rritje, janë të përballueshme, faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe për bizneset”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kundërshtojnë shtrenjtimet që po i varfërojnë edhe më shumë dhe të protestojnë duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. Po ashtu, ka pasur thirrje edhe për opozitën.
“KMDLNj i thërret qytetarët e Kosovës që t’i kundërshtojnë këto shtrenjtimе, të cilat po i varfërojnë gjithnjë e më shumë, duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë. KMDLNj fton pozitën dhe opozitën që të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo interesat e mafies energjetike. ZRrE dhe qeveria duhet t’i sqarojnë qytetarët se sa është shkalla e inkasimit në veri të Kosovës dhe pse çmimi i rrymës atje është më i lirë se në pjesët e tjera të Kosovës. Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, atëherë spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet. Shtrenjtimi i paralajmëruar, i cili është në shpërputhje të madhe me mundësitë e shumicës së ekonomive familjare dhe bizneseve, në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentimin e bizneseve”, përfundon komunikata.






