Përgatiti: Driton Sadiku
Garës për ta fituar një ulëse në kuvend, i hyri i vetëm.
Fatmir Bytyqi është i vetmi kandidat i pavarur, që në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, synon ta marr postin e deputetit.
58-vjeçari nga Prizreni, i cili aktualisht jeton në Gjermani, në një intervistë për ATV-në, tregon arsyet pse nuk iu bashkua asnjë subjekti politik.
“Përpjekjet e mija për të ndikuar në përmirësimin e shoqërisë tonë kanë qenë te hershme, por nuk e kamë gjetur vetën në asnjë subjekt politik, për atë arsye kam vendor me kandidu vetëm”, tha Bytyqi.
Bytyqi, ishte një nga themeluesit e Partisë Parlamentare të Kosovës, e së fundmi ishte edhe pjesë e LDK-së, por që thotë se e humbi statusin e anëtarit të partisë.
“Tash jam i vetëdijshëm që e kamë humbur statusin e anëtarit të partisë sepse sipas statusit të LDK-së, nëse një anëtarë i saj kandidon si i pavarur e humb statusin e kandidatit. Nuk kam pasur as ofertë as nuk kam bërë përpjekje të jem pjesë e tyre”, tha Bytyqi.
E në rast se arrin të marr besimin e qytetarëve, përfaqësimi i tyre në vendin ku miratohen ligjet, do jetë në disa fusha specifike.
“Unë në programin zgjedhor i kam paraqitur 3 pikat kryesore, ato janë reformimi i sistemit arsimor, lufta kundër dhunës dhe reformimi i strukturave të subjekteve politike. Por kjo nuk do të thotë që unë aktivitetin tim do ta kufizoj vetëm në këto pika sepse besoj që kam ide dhe kapacitet të ndikoj edhe në çështje tjera”, shtoi Bytyqi.
Bytyqi pret që nga e shtuna ta fillojë fushatën e tij zgjedhore, derisa në garë do të jetë me numrin 128.