Ermal Krasniqi ka nisur një fazë të re në karrierën e tij, pasi është huazuar nga Sparta Praga te gjiganti polak Legia Varshava për sezonin 2025/26, me mundësi blerje të kartonit.
Sulmuesi i Kosovës, i cili ka fituar dy herë titullin kampion me Ballkanin dhe ka marrë pjesë në ndeshje evropiane kundër ekipeve të mëdha si Inter dhe Manchester City, është pritur ngrohtësisht në kryeqytetin polak.
26 vjeçari u prezantua zyrtarisht dhe do të bartë fanellën me numrin 77 te klubi më i madh në Poloni.
“Faleminderit për mirëseardhjen e ngrohtë. Ndihem shumë mirë dhe i emocionuar që jam pjesë e këtij klubi të madh,” tha Krasniqi.
“Do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin dhe shpresoj ta sjellim sërish titullin në Varshavë. Pozicioni im kryesor është sulmuesi në krahun e majtë, por mund të luaj edhe në të djathtë apo si sulmues qendre,” shtoi ai.
Krasniqi ka gjithashtu tetë paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, ku ka shënuar dy gola dhe konsiderohet një përforcim kyç për Legia Varshavën në objektivat e sezonit të ri./ATVLIVE.TV