Enzo Maresca ka reaguar zyrtarisht pas largimit të tij nga Chelsea, duke publikuar një mesazh emocional falënderimi për klubin, lojtarët dhe tifozët, pas një periudhe të suksesshme prej 18 muajsh në krye të skuadrës londineze.
Trajneri italian e përshkroi aventurën e tij te Chelsea si një udhëtim të veçantë, që nisi nga raundet paraprake të Conference League dhe përfundoi me arritje madhore në arenën evropiane dhe botërore.
“Udhëtimi im me Chelsean filloi nga raundet paraprake të Conference League. Largohem me paqen e brendshme se po lë një klub prestigjioz aty ku e meriton të jetë,” u shpreh Maresca.
Ai falënderoi veçanërisht tifozët e Chelseat për mbështetjen e vazhdueshme gjatë 18 muajve të fundit, të cilën e cilësoi si vendimtare për sukseset e arritura.
“Dua të falënderoj të gjithë tifozët e Chelseat për mbështetjen e tyre, e cila ishte thelbësore për kualifikimin në Champions League, fitimin e Conference League dhe triumfin në Kupën e Botës për Klube. Këto fitore do t’i mbaj gjithmonë në zemrën time.”
Maresca nuk la pa përmendur as lojtarët, të cilët i cilësoi si pjesë kyçe të këtij rrugëtimi të suksesshëm, duke i falënderuar për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar.
Në fund, ai uroi klubin për suksese në vazhdim dhe mbylli mesazhin me fjalë prekëse:
“I uroj çdo sukses të gjithëve në pjesën e dytë të sezonit dhe në të ardhmen. Faleminderit, Chelsea, nga unë dhe familja ime.”
Largimi i Marescës shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm për Chelsean, ndërsa klubi pritet të nisë një fazë të re në kërkim të vazhdimësisë dhe ambicieve të reja.






