Fillimi i aventurës së Endrick te Real Madridi nuk ka qenë aspak i lehtë. Sulmuesi brazilian ka pranuar se periudha e tij e parë në klubin madrilen u shoqërua me zhgënjim dhe pasiguri, sidomos pas një lëndimi serioz që e la jashtë një prej turneve më të rëndësishme të sezonit.
Endrick pësoi dëmtim tek muskujt në fund të sezonit të kaluar, një problem që u përkeqësua gjatë fazës përgatitore para Kupës së Botës për Klube të FIFA-s, e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas ekzaminimeve mjekësore, u konfirmua se ai nuk do të ishte në gjendje të luante për disa muaj, duke humbur kështu turneun në tërësi.
Në një intervistë të fundit, talenti brazilian e përshkroi këtë moment si më të vështirin në karrierën e tij deri tani, duke theksuar se dhimbja më e madhe nuk ishte humbja e ndeshjeve, por pamundësia për të konkurruar.
Sipas tij, humbjet janë pjesë normale e futbollit, por lëndimet janë diçka krejt tjetër, pasi ato mund të të shkëpusin plotësisht nga loja dhe të të vendosin përballë pasigurisë për të ardhmen.
Aktualisht, Endrick është i përqendruar në rikthimin e formës më të mirë gjatë huazimit të tij te Lyoni, me synimin që të bindë Carlo Ancelottin dhe të sigurojë një ftesë për Kupën e Botës 2026.






