Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, ka reaguar pas vendimit të Bordit të FBK-së për t’ia vazhduar mandatin edhe për një periudhë të re katërvjeçare.
Dushku ka theksuar se angazhimi i saj në këtë pozitë, që nga viti 2017, ka qenë një proces i vazhdueshëm pune dhe përkushtimi, i ndërtuar mbi rezultate konkrete, bashkëpunim të ndërsjellë dhe zhvillim institucional. Ajo e ka cilësuar besimin e ripërtërirë si një përgjegjësi shtesë për të vazhduar me fokus të qartë dhe vizion afatgjatë.
“Lidershipi në sport kërkon vizion, profesionalizëm dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Kjo pozitë ka qenë dhe mbetet një hapësirë për të kontribuar me integritet, për të forcuar qeverisjen sportive dhe për të ndërtuar struktura funksionale dhe të qëndrueshme”, është shprehur Dushku.
Ajo ka shtuar se synimi i saj është që vajzat dhe të rinjtë ta shohin udhëheqjen në sport si një proces të natyrshëm profesional, të bazuar në ambicie, përgjegjësi dhe përkushtim, duke inkurajuar brezat e rinj të besojnë në meritokraci dhe punë të ndershme.
Në fund, Dushku ka theksuar se sukseset e arritura janë rezultat i një pune ekipore, duke riafirmuar përkushtimin e saj për ndërtimin e një sporti modern, transparent dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.






