FC Prishtina ka zyrtarizuar përforcimet e radhës në skuadër, duke afruar sulmuesin anësor 20-vjeçar, Elton Krasniqi. Futbollisti nga Kosova vjen me një përvojë të çmuar nga futbolli gjerman dhe i bashkohet klubit nga kryeqyteti në prag të edicionit të ri.
Krasniqi ka qenë pjesë e skuadrës U19 dhe ekipit të dytë të Stuttgartit, ndërsa më parë ka zhvilluar karrierën e tij në akademinë e Hannoverit, ku është formuar si lojtar.
Në nivel ndërkombëtar, ai ka përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës në grupmoshat U15, U17 dhe U19.
I prezantuar sot si lojtari më i ri i FC Prishtinës, Krasniqi shprehu emocionet e tij për këtë hap të ri në karrierë:
“Jam i lumtur që i bashkohem një klubi të madh siç është Prishtina. Shpresoj që ky do të jetë një vit i suksesshëm dhe do të jap maksimumin për të arritur objektivat tona. Mezi pres të zbres në fushë dhe të luaj para tifozëve tanë, Plisat”, u shpreh ai për faqen zyrtare të klubit.
Ndërsa, Shkambi Baruti, është qendërmbrojtës 194 cm i gjatë dhe i bashkohet skuadrës nga kryeqyteti.
Baruti vjen me një përvojë nga futbolli shqiptar. Ai ishte pjesë e Partizanit, më pas kaloi te Tomori, ndërsa së fundmi ka luajtur për ekipin e Erzenit.
21 vjeçari për faqen zyrtare te klubit u shpreh i lumtur që është pjesë e Prishtinës.
“Është krenari të jesh pjesë e klubit ma të trofeshëm në Kosovë, premtoj se do ta jap maksimumin për këtë fanellë si dhe për tifozët e zjarrtë Plisat” – përfundoi Baruti. /ATVLIVE.TV