Ekzekutohen pagesat për punëtorët teknikë në Prishtinë, Elshani – Tash presim punë e përgjegjësi, shëndeti i fëmijëve nuk negociohet

Protestat dhe pezullimi i punës nga punëtorët teknikë në shkollat dhe çerdhet e Prishtinës duket se i kanë ardhur fundit. Pas periudhës së grevës që shkaktoi shqetësim për nivelin e higjienës në institucionet arsimore, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemit.
Gjatë ditës së djeshme janë ekzekutuar përfundimisht pagesat ndaj operatorëve ekonomikë, të cilët menaxhojnë punëtorët teknikë që ishin në grevë.
Reklamë
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili ka deklaruar se pas shlyerjes së detyrimeve financiare, pritshmëria e vetme tashmë është rikthimi i menjëhershëm në punë dhe zbatimi strikt i kontratave.
“Pagesat janë ekzekutuar. Tashti presim përgjegjësi dhe punë! Presim që puna në shkollat dhe çerdhet tona të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur,” ka bërë të ditur Elshani.
Për me tepër, me qëllim garantimin e standardeve higjieno-sanitare, Drejtoria e Arsimit ka paralajmëruar masa të rrepta kontrolli në terren. Në ditët në vijim pritet të formohet një task-forcë e posaçme që do të mbikëqyrë gjendjen e higjienës në secilën shkollë dhe çerdhe të kryeqytetit.
Elshani ka nëvizuar se nuk do të ketë tolerime ndaj asnjë operatori apo punonjësi që nuk i përmbahet detyrimeve, duke u shprehur prerazi se “shëndeti i fëmijëve tanë është i panegociueshëm”.
Reklamë








