13.8 C
Pristina
E hënë, 16 Shtator, 2024

Ekipi menaxhues i kryesuar nga deputetja e Vuçiqit, “mollë” sherri

Deklarata për të zhdukurit dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë konfirmuar si tema në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

Sipas agjendës tashmë të konfirmuar, takimi i nivelit të lartë të dialogut, i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajcak, do të nisë nga ora 18.

“Palët pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, si pikë e parë e agjendës. Kjo do të përcillet nga prezantimi i draft-statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe diskutimi për të. Palët do të kenë, gjithashtu, mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Ndryshe nga deklarata për të zhdukurit gjatë luftës, e dakorduar në parim nga palët, njohës të procesit të dialogut NUK presin progres në temën e Asociacionit.

Pengesë për lëvizjen para shihet fakti se Ekipi Menaxhues që do të prezantojë draftin e parë të statutit udhëhiqet nga Danijela Vujicic, deputete e partisë së Vucicit në parlamentin e Serbisë.

“Këtë herë po e shohim se kontestimi vjen tek aspekti i ekipi menaxhues për draftimin e Asociacionit. Unë nuk pres ndonjë rezultat pozitiv, rezultati i vetëm i këtij takimi mund të jetë dinamizmi i mëtejmë i ndërmjetësuesve për t’iu bërë presion palëve dhe për të gjetur ndonjë mundësi në të ardhmen për ta çuar përpara këtë proces”, tha analisti Bekim Kabashi.
Rezistenca e Kosovës në raport me Ekipin Menaxhues, sipas profesorit Seb Bytyçi, do të prodhojë vetëm progres formal.

“Kjo nuk nënkupton që do të ketë progres përmbajtjesor, sepse pres që dokumenti të kundërshtohet nga Kosova, për shkak se është përpiluar nga një ekip menaxhues që është kryesuar nga një person që i takon formalisht partisë së presidentit Vucic”, tha Bytyçi.

Mospajtimet, sipas Bytyçit, mund të prodhojnë vendime nga Qeveria e Kosovës në raport me përbërjen e ekipit.

“Mund të priten pasoja të tjera, edhe ndonjë vendim për të ndryshuar përbërjen e ekipit menaxhues që nënkupton pengesa të tjera në zbatimin e asaj pike”.

Takimi i 2 Majit, do të jetë i pari ndërmjet Kurtit dhe Vucicit, pas dakordimit në Ohër, për aneksin e marrëveshjes bazë të Brukselit, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA