Ekipi promovues që qëndron pas meçit të shumëpërfolur mes Anthony Joshua dhe Jake Paul ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se ndeshja ishte e kurdisur, duke paralajmëruar veprime ligjore kundër çdo personi që vazhdon të përhapë akuza të tilla.
Nakisa Bidarian, partner biznesi i Jake Paul dhe bashkëthemeluese e kompanisë Most Valuable Promotions, ka konfirmuar se janë angazhuar avokatë për të ndërhyrë ndaj pretendimeve që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale pas përfundimit të përballjes.
Edhe pse akuzat për trukim kanë shoqëruar pothuajse çdo ndeshje të Jake Paul, me përjashtim të humbjes ndaj Tommy Fury, kjo është hera e parë që ekipi i tij njofton publikisht se do të ndërmarrë hapa konkretë ligjorë për t’i ndalur këto spekulime.
Bidarian, gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Ariel Helwani Show”, u shpreh qartë se pretendimet nuk do të tolerohen më. I pyetur nëse performanca e Paul, pavarësisht nokautit, mjaftonte për të heshtur teoritë konspirative, ai u përgjigj prerë:
“Jo, jo tamam. Avokatët tanë po ndjekin në mënyrë aktive një numër njerëzish.”
Jake Paul edhe më herët i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se manipulimi i ngjarjeve sportive profesionale në Shtetet e Bashkuara konsiderohet krim federal dhe ndëshkohet rëndë nga ligji.
Kujtojmë se në meçin e zhvilluar të premten në Miami, dy herë ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, e nokautoi Jake Paul në raundin e gjashtë. Si pasojë e goditjeve, Paul pësoi thyerje të nofullës në dy vende dhe u desh të merrte trajtim mjekësor pas ndeshjes.






