Përgatiti: Krenare Mulliqi
Për dallim nga paraqitja e parë në gjykatë më 14 korrik 2022, Dardan Krivaqa në seancën fillestare të rigjykimit nuk mbrohej nga jeleku anti-plumb.
Madje, nga refuzimi total në paraqitjen e parë të tij para gjykatësit, para dy vjetëve, për t’u deklaruar, tani Krivaqa tha se ndihet i pafajshëm ndaj akuzave për dhunim dhe vrasje.
I pafajshëm për akuzën e dhunimit dhe ndihmë në vrasje u deklarua edhe Arbër Sejdiu.
Ndërkaq, duke e vlerësuar aktakuzën hipotetike, avokati mbrojtës i Kirvaqës tha se prokurorisë vërtet i mungojnë provat.
Madje, avokati kërkoi ekzaminim special psikiatrik për të akuzuarin e parë Kirvaqën, që do të mbulojë periudhën që nga mosha 11-vjeçare e deri në ditën e vrasjes së Marigona Osmanit, me arsyetim se edhe ai ishte viktimë e dhunës seksuale dhe tentoi të vetëvritej.
Në nisje të procesit të rigjykimit u vendos që dëshmitarët të mos thirren në gjykatë, por vetëm të lexohen dëshmitë e tyre, ndërkaq pritet të ftohen ekspertë të rinj të mjekësisë ligjore.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt, më 4 gusht 2023, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasje. Edhe Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.