Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arapaj të Durrësit, pak ditë më parë, ku një përplasje e momentit mes dy personave ka përfunduar me vdekje.
Policia ka ndaluar shtetasin L. Ç., i cili akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.”
Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, i riu dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht 52-vjeçarin Saimir Fetahu. Si pasojë e goditjes, ky i fundit ka rënë me kokë në tokë, duke marrë dëmtime të rënda. Nga hetimet rezulton se ka qenë një konflikt për motive të dobëta që ka sjellë pasojën e rëndë. Viktima dyshohet se në gjendje të dehur kishte ngacmuar me fjalë vëllain e sëmurë të autorit të dyshuar. Me ta marrë vesh, ai ka shkuar të sqarohet dhe e ka goditur me grusht.







