Paralajmërimin për rritjen e mundshme të çmimit të rrymës, qytetarët në Kosovë po e konsiderojnë si të padrejtë dhe të papërballueshëm. Ata ankohen se “xhepi” i tyre po rëndohet vazhdimisht me çmimet e larta. Kundër shtrenjtimit të rrymës shprehen edhe ekspert e njohës të energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) thotë se kompanitë energjetike KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike. KosovaPress mëson nga burimet e saj brenda ZRRE-së, se këto kompani kanë kërkuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Qytetari Vehbi Bahtiri e vlerëson si të tepërt paralajmërimin për rritje të çmimit të energjisë, pasi që sipas tij, buxheti i tyre është i vogël.
“Çka po duan, po e bëjnë vetë, s’kemi çfarë të bëjmë ne…A po mendoni që është e tepër që të shtrenjtohet rryma prapë në Kosovë? Po, sigurisht është e tepërt sepse buxheti është i vogël i qytetarëve dhe për xhepin tonë është i shtrenjtë çdo gjë, jo vetëm rryma…01:23 Normalisht që dëmtohemi ne, por kjo nuk varet nga tregu i Kosovës. Nuk kemi asnjë prodhim ne, që mund t’i bëjmë konkurrencë bursave të Evropës që ne të mund të ndryshojmë ta bëjmë çmimin më të ulët. Kur importon nga jashtë, veç shtrenjtim ka”, tha Bahtiri.
Edhe pensionisti Remzi Dobruna u shpreh se është e papranueshme mundësia për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike. Sipas tij, ky vendim mund të vije si pasojë e krijimit të monopoleve.
“Kush na pyet neve, ne jemi pensionerë…Po dihet që e papranueshme totalisht. Sa i dëmton qytetarët shtrenjtimi i energjisë elektrike? Çfarë të bëjnë qytetarët, duhet të pajtohen, s’kanë kurrfarë force qytetarët t’i ndalin… Këta me pensione 120 euro si ta paguajnë?…Sipas juve pse po rritet çmimi i rrymës vazhdimisht në Kosovë? Sepse janë krijuar monopole në Kosovë, aty është problemi, çdo kund”, u shpreh Dobruna.
Ismet Rexhepi pret nga ZRRE-ja që të merr vendim duke u mbështetur në gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
“Shpresoj që ZRRE-ja do të bie në vendim i cili do të mbështete në ecuritë reale ekonomike dhe në çështjen e kostos të prodhimit të energjisë”, tha Rexhepi.
Lidhur me këtë paralajmërim, një qytetare komenton duke thënë se “krejt Kosova është në hauz”
“Kosova është krejt në hauz, asgjë nuk është ka shkon (mirë)…E kanë kap krejt shtetin në dorë, rrymën, gjyqësinë, më të këqijat i bëjnë”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa në një prononcim për KosovaPress tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për çdo vit, porse sistemi elektroenergjetik nuk po përmirësohet.
Sipas tij, përveç shtrenjtimit të rrymës, qytetarët po përballen edhe me mos furnizim të rregullt me energji elektrike.
“Problemi është ose pyetja është se a do të duhej ne të kujdesemi më shumë nëse në 2025-ën edhe pse rriten tarifat a do të kemi furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike…Rritja e çmimit të energjisë elektrike po bëhet për çdo vit, mirëpo sistemi elektroenergjetik nuk po përmirësohet, qëndrueshmëria e tij. Kemi divergjencë ndërmjet cilësisë të furnizimit dhe çmimeve. Prandaj, me të drejtë do të duhej që ne të kujdesemi më shumë për furnizim të qëndrueshme edhe nëse kemi çmime më të larta. Atëherë, të paktën të shpërblehemi me furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike…Në këtë rast do të duhej ndoshta qeveria që të merrte masa përmirësuese për t’ia lehtësuar barrën konsumatorëve të cilët janë në kufirin e varfërisë energjetike”, tha Haxhimusa.
Eksperti i energjisë elektrike, njëherësh edhe biznesmen, Hamdi Malushaj tha për KosovaPress se rritja e çmimit të rrymës do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ngritjen e çmimeve të prodhimeve vendore.
“Ne e kemi këtë problemin e energjisë gjithmonë, të pa merituar si problem. Kosova e ka këtë problem të shkaktuar nga politika dhe nga profiterët në treg. Por, nuk është e sigurt asnjë veprim i ZRRE-së…Ne jemi në pozitën që me jetua duhet dhe patjetër që barra, shporta gjithçka në bazë të familjes dhe bizneseve, është një barrë shtesë. Sa do të jetë ajo kur bëhet energjia problem i bizneseve për të pasur ose jo llogari për të punuar, ajo po dihet se ndikon edhe drejtpërdrejt tek qytetarit në koston e produkteve…Në raftin e qytetarëve prodhimet vendore do t’i kenë ngritje çmimesh që humb edhe në konkurrencën me prodhuesit e jashtëm”, tha Malushaj.
Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim nga ZRRE-ja thonë se janë në fazën e vlerësimit të aplikimeve nga kompanitë energjetike të cilat kanë kërkuar shqyrtim të tarifave.
“KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, detajet e këtyre aplikimeve janë publikuar në faqen elektronike te ZRRE-së…ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve. Pas përfundimit të këtij procesi, do të hartohet një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm për konsultim publik për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të komenteve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vendim përfundimtar, i cili do të dërgohet për miratim në Bordin e ZRRE-së. Ky proces është projektuar për të siguruar transparencë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm. Në përputhje me këtë proces, vendimi përfundimtar pritet të merret deri në fund të muajit mars”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Ndërkaq, nga KESCO nuk dhanë detaje rreth kërkesës së tyre duke thënë se “skema tarifore dhe çmimet e energjisë elektrike, janë të përcaktuara nga ZRRE-ja”.
Të nejjten përgjigje e kanë dhënë edhe nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), kur janë pyetur rreth kësaj çështje./kp