Mosprocedimi i Ligjit për buxhetin e vitit 2026 mund të sjellë pasoja të mëdha për qindra mijëra qytetarë. Krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucione publike, pa të ardhura mund të mbesin 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë dhe më shumë se 12 mijë familje të dëshmorëve e invalidëve të punës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online, e ka quajtur situatën shqetësuese dhe stresuese për mësimdhënësit, duke ironizuar premtimin e qeverisë për pagën e 13-të.
“Askush nuk ka pritur se do të ndodhë kështu që të kemi një zvarritje kaq të gjatë për krijimin e institucioneve që kanë dalë me votën e shkurtit. Ajo që mund të them për SBASHK është se kërkesat janë shtuar, por ne nuk kemi ku t’i adresojmë pasi që nuk kemi parlament, as më keq, nuk kemi qeveri dhe e keqja më e madhe se nuk ka kush ta votojë ligjin për pagat e vitit 2026… nëse për lojërat që i bën dikush në politikë na mbesin punëtorët pa paga në vitin e ardhshëm, kjo do të ishte problem i madh,” ka deklaruar Jasharaj.
Sipas tij, mosmiratimi i buxhetit rrezikon të lërë pa paga mbi 84 mijë punëtorë të sektorit publik, përfshirë 30 mijë e më shumë nga arsimi.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Jasharaj e cilëson këtë si “goditje të rëndë për sektorin publik”.
Ai e quajti “ironike” situatën me premtimin e pagës së 13-të, duke rikujtuar kërkesën e tij ndaj Kurtit për 100 euro shtesë për mësimdhënësit:
“Del ironike ai premtimi për pagën e 13-të me ligjin e pagave të vitit 2026. Kurtin e kam lutur edhe si vëlla edhe si kryeministër të na japë ato 100 euro, e nuk na jepte, e si mund të presim tani që do të na japë një pagë të 13-të? Është një pagë shumë më e madhe se ai 100 që ia kërkonim ne. Të gjithë kemi mbetur me pikëpyetje. Urojmë që të mos na ndodhë që në vitin e ardhshëm punëtorët të mbesin pa paga…”
Jasharaj paralajmëron se situata është në prag të krizës sociale, ndërsa kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe miratimin e buxhetit për të shmangur një kolaps financiar.
“Sektori i arsimit që nga çerdhet deri në universitet e kalon shifrën prej 30 mijë të punësuar… Tërë këto familje i kanë këto pikëpyetje: çka nëse mbesin pa paga?… Nuk kemi as Ministri të Arsimit ngase zonja Nagavci është bërë deputete, as nuk kemi qeveri dhe kemi ngelur pa bërë dialog. Jemi plot strese e shqetësime. Kërkesat janë të shumta, por kanë mbetur pa u realizuar në mungesë të vullnetit, edhe kur ishte Qeveria Kurti, por edhe tani që është në detyrë,” ka shtuar ai.







