Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Më shumë se 20 penj, u deshën për ta mbyllur plagën që iu shkaktua nga kafshimi i qenve endacak, 69 vjeçares, Lumturie Hoxha, nga Prishtina.
Hoxha u sulmua nga qentë endacak një ditë më parë, në rrugën “Bajram Kelmendi” në kryeqytet.
“Kam qenë duke shkuar me ble bukë edhe unë kam qenë në trotuar, fillimisht i pash qentë por ishin në anën tjetër, në rrugën kryesore, vetëm kur më ka sulmuar, më ka kafshuar në dorë, kam thënë kuku nënë çfarë më gjet edhe qeni u largua, humba në atë moment prej frikës, sulmi nuk ka zgjat veç trap ma ka ngjit, ma prunë do ujë me pi deri u ka ardhur vëllai me marrë edhe drejtë në emergjencë, veç e njisha tu ma kep, dhimbje e hatashme…”, rrëfen Hoxha.
Për plagën, dhimbjet dhe shqetësimet që ndjenë pas sulmit, ajo kërkon llogari nga institucionet.
“Aty nën-stop nga 10 qenë i ke, për kurrgjë hiq mu ballafaqua me këto probleme, plus shqetësimi, krejt vet duhet me i ble barnat, kurrkush se merr përsipër me këqyr a ka pare me ble barna, e duhet me u ballafaqua me këto probleme të panevojshme”, thotë Hoxha.
Rastin e kishin parë edhe disa banorë të lagjes, të cilët kërkojnë zgjidhje urgjente.
“Unë isha me gruan dhe më vajzën duke pirë kafe dhe ndërkohë e pamë rastin ishin 3-4 qenë dhe me të vërtetë është një problem i madh sepse edhe qentë janë agresiv, nuk janë vetëm këto dy raste ka pasur edhe tjera, bëjë apel që komuna patjetër ta zgjedhin këtë problem”, tha Ylber Ramdani, dëshmitar i rastit.
Edhe pse janë në dijeni për sulmet e njëpasnjëshme nga qentë endacak, aktualisht, komuna e Prishtinës nuk ka asnjë plan tjetër përveç Strehimores.
“Nuk kemi zgjidhje momentalisht, përveç strehimores, edhe me atë udhëzimin administrativ, pas 21 ditësh qentë duhet të lirohen, nuk është marrë asnjë hap prej nivelit qendror, nuk po mundemi ta zgjedhim problemin vetëm ne si komunë”, tha shefi i Sektorit për Shërbime Publike në Prishtinë, Habib Qorri.
Dy ditë më parë, ATV-ja ka raportuar se po në të njëjtën rrugë, cak i sulmeve nga qentë endacak ishte edhe një qytetare tjetër, porse ia doli më lehtë.
Ndërkaq, çdo ditë 7 deri në 8 pacientë marrin trajtim mjekësor prej sulmeve nga qentë endacak në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.