Më pak njerëz se që kam pritur sot janë kah flasin për atë që deklaroi Ambasadori në Samitin e Demokracisë. Edhe jo, nuk po flas për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara. Për të folën dje i madh e i vogël, edhe nuk kam unë çka shtoj at. Jam kah flas për Ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde. Nuk e keni dëgju, sepse keni këqyrë budallë n’tiktok? Qe njeri:
Pra të votosh me këmbë është ta lëshosh vendin ku bëhet votimi, në këtë rast ta lëshosh Kosovën.
Ambasadori këtë e thotë duke u bazuar në të dhënat për viza që i kanë lëshuar. Pra, s jemi kah flasim këtu për njerëz që shkojnë disa muaj punojnë në Evropë diku sepse ua mundëson liberalizimi, por për profesionistë që me viza pune emigrojnë nga Kosova dhe përkushtohen për një të ardhme në Gjermani.
ASK-ja nuk po i publikon të dhënat e regjistrimit të popullsisë dhe nuk është në gjendje ta konfirmojë se do ti publikojë këto të dhëna para zgjedhjeve, mirëpo, një gjë nuk kontestohet – Kosova është kah zbrazet – njerëzit që mund të ndikojnë për të mirë në zhvillim janë kah ikin.
Mbi 500 mjekë e kanë lëshuar Kosovën për 4 vjet, kurse mbi 500 milionë Euro, kosovarët kanë paguar për këto 4 vjet për shërbime mjekësore jashtë Kosovës.
Edhe një herë? OK! Mbi 500 mjekë, që një shoqërie që Kosovës i kushtojnë minimum 10 vjet dhe rreth 60 milionë Euro vetëm të trajnohen – për 4 vjet e kanë lëshu Kosovën.
Ata që edhe më tutje shkojnë të shërohen te burdushat, s’ka Excel që i llogaritë, kështu që po e zë që janë pare huq!
Kosovën janë e kah e braktisin edhe profesionistë tjerë. Odat ekonomike janë kah alarmojnë qysh në vend nuk ka punëtorë. Nëse janë 1,5 milionë banorë në Kosovë dhe prej kësaj shifre i heqim fëmijët, pensionistët dhe disa kategori që nuk janë në treg të punës – s do mend që bizneset mund të jenë në krizë për fuqi punëtore.
Emigrimi nuk është problem vetëm kosovar. Por, dukuri kosovare është qasja dyfytyrëshe ndaj vendeve ku emigrojmë.
Ambasadori Rohde po thotë që edhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimorë nuk integrohen në BE, popujt e Ballkanit e kanë zgjedhur BE-në dhe ata do të shkojnë të punojnë atje.
Pra, për shkak të budallakive të liderëve ballkanikë, ata njerëz që kanë pak shkathtësi nuk do të vuajnë, por do të punojnë në Evropë.
Kosovarët këtu nuk përbëjnë përjashtim. Shumica dërrmuese e parave të diasporës që vijnë në Kosovë janë para të fituara në perëndim. Në fakt, përveç do cikave dhe djemve të rinj që punojnë në Dubai dhe do të tjerëve që kanë punu në Afganistan e Irak, s di që kanë ardhë shumë pare në Kosovë nga lindja. Këta të Afganistanit e Irakut edhe ashtu kanë punuar për ushtri e kompani perëndimore, jo për ato lokale. Sado që po e lavdojnë Dubain, për jetë më të mirë kosovarët shkojnë në Evropë, ose në Amerikë! Mirëpo, kur kërkohet që në Kosovë të respektojmë standarde evropiane ose të sillemi në përputhje me do kërkesa amerikane, ne refuzojmë!
Rrjetet sociale e mediat i ke plot me budallë që ju shpjegojnë ambasadorëve qysh duhet të sillen në Kosovë, ose me talenta që iu mbajnë ligjërata diplomatëve perëndimorë për vlerat perëndimore.
Dëmi që po e shkaktojnë njerëzit duke e braktisur Kosovën nuk do të vërehet në pesë, ndoshta as në 10 vitet e ardhshme, për shkak se a ta do të vinë me vetura të përdorura, kuletat plot me ‘cash’, do të blejnë banesa dhe do të lënë këtu pare gjatë verës.
Ama ky vend s’ka spitale, i ka shkollat e këqija ku rriten fëmijë tupa, s’ka salla, stadiume e bazene, s’ka parqe, s’ka ujë të mjaftueshëm. Ata që votojnë me këmbë nuk i kërkojnë këto gjëra. Këto i kërkojmë ne, që kemi vendosur të mbesim këtu!