Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në basketboll zhvillohen nesër, ku katër skuadrat më të mira të këtij edicioni do të luftojnë për një vend në finale dhe për trofeun e çmuar.
Pas çerekfinaleve shumë interesante, Bashkimi, Sigal Prishtina, Trepça dhe Bora kanë siguruar kualifikimin dhe tashmë pritet një rivalitet i fortë e basketboll cilësor.
Në gjysmëfinalen e parë do të përballen Bashkimi dhe Sigal Prishtina, dy emra me traditë në basketbollin kosovar dhe me ambicie të qarta për finalen. Prizrenasit eliminuan GO+ Pejën në çerekfinale, ndërsa prishtinasit kaluan Vëllaznimin.
Gjysmëfinalja tjetër do të sjellë duelin Trepça – Bora.
Kampionët në fuqi nga Mitrovica synojnë mbrojtjen e trofeut, ndërsa prishtinasit e Borës kërkojnë finalen e parë në historinë e Kupës. Trepça në çerekfinale eliminoi Golden Eagle Yllin, kurse Bora ishte më e mirë se Rahoveci 029.
Edhe në fazën gjysmëfinale, përballjet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ndërsa skuadra më e mirë pas dy takimeve siguron biletën për finalen.
Në edicionin e kaluar, Trepça kishte triumfuar në finale ndaj Bashkimit me rezultat 85:79.






