Kampioni i Kosovës, Drita, do të përballet me ekipin irlandez, Shelbourne në javën e tretë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, me të dyja skuadrat që synojnë fitoren e parë në këtë edicion.
Skuadra irlandeze, e cila së fundmi siguroi pjesëmarrjen në Evropë edhe për sezonin e ardhshëm falë vendit të tretë në kampionat, shpreson ta shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas në Dublin për të marrë një rezultat pozitiv. Shelbourne ende nuk ka shënuar në këtë garë, por mbetet e pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit si vendase.
Në anën tjetër, Drita vjen me formë të mirë nga Superliga e Kosovës, me katër fitore në pesë ndeshjet e fundit. Ekipi gjilanas ka regjistruar dy barazime në Evropë, por tani kërkon fitoren e parë historike në fazën e grupeve. Megjithatë, sfida jashtë fushe pritet të jetë e vështirë, pasi Drita ka vetëm dy fitore në dhjetë përballjet e fundit si mysafire. Intelektualët do të jenë pa sulmin kryesor, pasiqë mungojnë Arb Manaj, Blerim Krasniqi, Veton Tusha dhe Liridon Balaj.
Kjo do të jetë përballja e parë midis këtyre dy skuadrave në arenën evropiane.
Ndeshja mes tyre do të zhvillohet sonte nga ora 21:00, në stadiumin Tallaght të Dublinit. /ATVLIVE.TV







