Pas katër humbjeve radhazi, Drenica është rikthyer te fitorja duke mposhtur Dritën me rezultat 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në Skenderaj.
Pjesa e parë ishte e qetë dhe pa shumë raste, pasi të dy skuadrat u fokusuan kryesisht në lojën e mesfushës.
Në fillim të pjesës së dytë, mysafirët nga Gjilani kaluan në epërsi me golin e Albert Dabiqajt, i cili shënoi me kokë në minutën e 56-të për 0-1.
Megjithatë, reagimi i Drenicës ishte i menjëhershëm. Në minutën e 64-të, Ronaldo Chacón barazoi rezultatin në 1-1, ndërsa vetëm nëntë minuta më vonë, venezueliani depërtoi bukur në zonë dhe përmbysi rezultatin në 2-1.
Kuqezinjtë nuk u ndalën as aty — në minutën e 76-të, Kreshnik Uka realizoi me një goditje të fuqishme për 3-1, duke vulosur fitoren.
Pavarësisht përpjekjeve të Dritës në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshoi dhe tri pikët mbetën në Skenderaj.
Me këtë fitore, Drenica ngjitet në vendin e gjashtë të tabelës me 14 pikë, ndërsa Drita mbetet e katërta me 17 pikë.
Në ndeshjen tjetër Drenica do të jetë mysafir i Prishtinës së Re, ndërsa Drita pret në shtëpi Llapin. /ATVLIVE.TV







