Shaqir Lutvija, i akuzuar për krime lufte ne burgun e Prizrenit, u soll të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në gjykimin që po shkon drejt fundit, radha i erdhi vlerësimit të provave nga gjykata.Peshë në vendimmarrje, prokurori Ilir Morina, tha se ka një raport informues i bashkangjitur me një CD, ku i akuzuari dëgjohet duke folur me dikë rreth rastit.
Trupi gjykues mori vendim që raporti të administrohet si provë, por pa u dëgjuar CD-ja.Ndërsa avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipovic, si prova tha se duhet të administrohen tri aktvendime të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që mbajnë të dhëna të Lutvijas.
Meqë dokumentet ishin të fotokopjuara dhe pa burime të detajuara, prokurori kishte dyshime se a janë origjinale.
Në mëdyshje ishte edhe trupi gjykues, andaj vendosi të mos merren parasysh.
Kërkesë tjetër e saj ishte të konsiderohet provë një postim në rrjete sociale, që dikush e kishte hedhur në kohën kur u arrestua i akuzuari.Avokatja pretendon se fytyra e klientit të saj, u postua për identifikim. As kjo provë, nuk u konsiderua e vlefshme nga gjykata.Në seancën e radhës, Shaqir Lutfija ka në dispozicion kohën të deklarohet për veprën me të cilën akuzohet.
Lutfija, nga zona e Dragashit, akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë periudhës 1998-1999 në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj shqiptarëve.







