Tiktokeri i njohur Shantana, i cili u bë viral në TikTok dhe rrjete të tjera sociale në Kosovë dhe Shqipëri, kryesisht për shkak të videove “Live” dhe dinamikës së tij me një vajzë të njohur si “Malsorja”, ka publikuar një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, ku tregon me detaje momentet kur zbuloi se ishte prekur nga paraliza e fytyrës (Bell’s palsy).
Në videon e tij, ai shpjegon se gjithçka nisi pas disa ditësh lodhjeje dhe dhimbjesh në pjesën e djathtë të fytyrës.
“Për pesë ditë po luaja PlayStation, më dhimbte pas veshit. Mendova se do më kalonte. Pastaj në banjo, kur po laja dhëmbët dhe desha të pështyja, më iku pështyma anash. U tremba. E pashë fytyrën dhe ishte shtrembër,” rrëfen ai.
Shantana tregon se një herë më parë, në vitin 2015, kishte kaluar të njëjtin problem, prandaj e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte.
Ai thotë se bashkë me të vëllain shkuan urgjent në spital, por aty nisi “drama e vërtetë”.
“Në fillim infermieret më panë dhe dyshuan se ishte paralizë faciale. Por kur hyra te doktori, ai më tha se nuk kisha asgjë. E pashë në fytyrë, nuk më pëlqente. Nuk buzëqeshi asnjëherë. Më tha ‘kthehem për 10 minuta’, por u kthye pas 3–4 orësh.”
Sipas Shantanës, ndërkohë që fytyra i përkeqësohej nga minuta në minutë, mjeku vazhdonte të insistonte se ai “nuk kishte asgjë”.
“Isha nervoz. E hoqa vetë gjilpërën, dola jashtë. Dhe për shkak se bëra zë brenda, na mbajtën edhe dy orë e gjysmë për një letër,” tregon ai.
Në fund, sipas tij, as mjeku nuk e firmosi dokumentin, por asistenti. “Asistenti shkoi ta pyesë doktorin nëse mund ta lëshonin letrën. Ai i tha, nëse vdes, vdes tani,” pretendon tiktokeri në videon e tij.







