Mbrojtësi i Tottenham Hotspur, Djed Spence, është pranë një momenti historik në karrierën e tij, teksa mund të bëhet lojtari i parë mysliman i deklaruar hapur që përfaqëson kombëtaren e Anglisë.
25-vjeçari është përfshirë për herë të parë në listën e trajnerit Thomas Tuchel, ndërsa “Tre Luanët” vijojnë përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Andorrës dhe Serbisë.
Spence nuk e fshehu emocionin kur mori lajmin për thirrjen në kombëtare, duke e quajtur një moment të veçantë në jetën dhe karrierën e tij:
“Është një bekim, është e mrekullueshme. Kur e pashë, u habita. Nuk kam fjalë për ta përshkruar”, u shpreh ai për mediat britanike.
Mbrojtësi zbuloi se nuk kishte pasur asnjë kontakt paraprak me trajnerin Tuchel, çka e bëri përfshirjen edhe më të papritur dhe të veçantë për të. Ai është një nga dy emrat e rinj në listën e përfaqësueses dhe konsiderohet një simbol i rëndësishëm për përfshirjen dhe diversitetin në futbollin anglez.
I pyetur nëse ndjente presion për faktin se është lojtari i parë mysliman i shpallur që përfaqëson Anglinë në nivelin më të lartë, Spence u përgjigj shkurt:
“Ndoshta, ndoshta jo. Nuk ndiej ndonjë presion të veçantë. Thjesht luaj futboll me një buzëqeshje në fytyrë, jam i lumtur dhe pjesa tjetër do të vijë vetvetiu.”
Për Spence, kjo thirrje është një moment kthese, pas një periudhe të vështirë te Tottenham, duke i hapur dyert drejt një kapitulli të ri dhe potencialisht historik në futbollin anglez – jo vetëm për aftësitë e tij në fushë, por edhe për përfaqësimin kulturor dhe fetar që ai sjell.
Besimi është një pjesë e rëndësishme e identitetit të tij dhe ai e ndan shpesh me ndjekësit në rrjetet sociale, duke u shfaqur i hapur dhe krenar për përkatësinë e tij. /ATVLIVE.TV