Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot, për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, një mbledhje që pritet të përcaktojë të ardhmen e udhëheqjes së partisë.
Kuvendarët e LDK-së do të përballen me vendimin nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë në detyrë apo do të zgjidhet një kryetar i ri.
Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend, Abdixhiku kishte njoftuar se do të ofronte dorëheqjen e tij në Kuvend, duke lënë vendim për pranimin e saj te kuvendarët.
Megjithatë, anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, ka cilësuar dorëheqjen si akt të kryer dhe ka shpallur kandidaturën për kryetar.
Disa anëtarë të partisë kanë shprehur publikisht mbështetjen për Abdixhikun, ndërsa të tjerë i kanë kërkuar dorëheqjen, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, e cila dha dorëheqje nga pozita e nënkryetares.
Kuvendi i Punës, i thirrur nga LDK-ja, do të nisë punimet nga ora 12:00. Sipas njoftimit zyrtar, mediat do të lejohen të përcjellin fjalën e Abdixhikut, ndërsa më pas Kuvendi do të mbahet i mbyllur për diskutime dhe vendime të brendshme.






